Mos u mërzit Solskjer, s’je i pari i mundur nga Uolvesi

Mançester Junajtidi hyri si favorit për kualifikim në fushën e Uolvesit, për çerekfinalen e Kupës së Anglisë. Gjithsesi, të papriturat janë “pas dere” dhe jo vetëm sepse kështu e do nderi dhe tradita e garës më të vjetër të futbollit në botë. Nuk ishte vetëm kjo arsyeja që Uolverhempton Uonderersi e mundi 2-1 Mançester Junajtidin!

Një arsye po kaq e fortë ishte se Uolvesi i trajnerit portugez Nunjo Espirito Santo kishte dhënë prova të mëdha këtë sezon. Në Kupë, kishte eleminuar më herët vetë Liverpulin, ndërsa në Premier Ligë ia kishte dalë të të fitonte në “Uembli” ndaj Totenhemit (3-1) dhe në fushën e tij kundër Çelsit.

Raul Himenez, shënuesi më i mirë i sezonit, realizoi golin e parë, ndërsa Diogo Zhota shtoi të dytin. Përveç tyre, portugezi me përvojë Zhoao Mutinjo, shkëlqeu në dëm të Pol Pogbasë me shokë. Po duket sikur Uolvesi është kthyer në vitet e famshme 50-të, nën drejtimin e kapitenit Billi Rajt, kur mati forcat me vetë Honvedin magjik të Ferenc Pushkashit.

Kjo do të thotë se Junajtidi humbi një mundësi për trofe, dhe i mbetet vetëm të synojë eleminimin e Barcelonës në Champions, për të synuar titullin e vetëm që mund të fitojë këtë sezon, po ashtu të zerë vend në katërshen e parë të Premier Ligës për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al