Garet Sauthgejt e mori më në fund shpërblimin që priste. Viti i Ri apo Krishtlindjet erdhën më shpejt për të (ashtu si tek reklama e Arsenalit), dhe Federata Angleze e Futbollit i dha një kontratë 4-vjeçare në stolin e kombëtares së “tre luanëve”. Dyzetegjashtë vjeçari do ta zëvendësojë tani përfundimisht të turpëruarin Sam Allërdajs, i cili u largua nga detyra pas shpërthimit të skandalit të korrupsionit për shkelje të vetë ligjeve të Federatës. “Të fitosh një detyrë është një gjë, – tha ish-qendërmbrojtësi i Anglisë dhe Aston Vilës, – por është tjetër gjë që të jesh i suksesshëm, dhe unë dua të jem i tillë”.
Ish-trajneri i Anglisë U21 e drejtoi kombëtaren në 4 ndeshje, prej të cilave tre në eleminatore dhe një miqësore, duke arritur dy fitore (2-0 me Maltën, 3-0 ndaj Skocisë) dhe dy barazime (0-0 në Slloveni, 2-2 me Spanjën). “Jam shumë krenar që m’u dha kjo mundësi, – ishin fjalët e tjera të tij, – dua të provoj se di të përballoj ndeshjet e mëdha”.
Për ata që mendojnë se një trajner mund të ofendohet nëse merret në intervistë pune, mund të themi se Federata Angleze, e mori Sauthgejtin në intervistë në 21 nëntor, ku ai iu përgjigj pyetjeve të 5 personave, presidentit Klark, shefit ekzekutiv Glen, drejtorit teknik Ashuorth, ish-trajnerit të përkohshëm Uilkinson dhe ish-mbrojtësit Lë So.
Rroga e tij do të jetë 2 milionë stërlina në vit.