Zhoze Murinjo ndodhet, aktualisht, me të vërtetë, përballë problemeve të papritura në “Old Traford”, por, dhimbjet më të mëdha të kokës atij po ia shkaktojnë, pikërisht, ato pozicione në fushë, për të cilët supozohej se u mbuluan mirë pas transferimeve verore. Pas angazhimit të Pol Pogbas, u duk se Junajtidi, në mesfushë, “i mbylli vrimat” që ishin konstatuar nën drejtimin e trajnerit holandez, Lui Van Gal, por, në vend që situata të përmirësohej gjatë këtij sezoni në mesfushë, ajo, tani, duket edhe më keq sesa ka qenë më parë dhe është një nga pikat më të kritikuara nga ana e opinionit sportiv anglez.
Problemi qëndron te fakti se Murinjo, pavarësisht nga përpjekjet, nuk po i gjen dot partnerin e duhur Pogbas që do t’i jepte këtij të fundit lirshmërinë e nevojshme në mesfushë, ndërkohë që, sipas spekulimeve më të fundit, eksperimentet e shpeshtë e kanë detyruar atë që të gjejë nje zgjidhje të pazakontë dhe shokuese. Tabloidet anglezë “San” dhe “Metro” publikuan, dje, një lajm sensacional se Murinjo ka ndërmend që t’i dërgojë Antonio Kontes të Çelsit një ofertë, në sezonin dimëror të transferimeve, për një futbollist që tek ekipi londinez ndodhet, krejtësisht, jashtë listës dhe nuk bën pjesë në planet e Kontes. Fjala është për futbollistin nigerian Xhon Obi Mikel që, me siguri, që do të largohet, së shpejti, nga “Stemford Brixhi”, duke pasur parasysh se ai nuk ka asnjë shans që të luajë, qëkur ka ardhur trajneri italian.