Një çun i lagjes. I tillë ishte kampioni i botës, Niko Rosberg, kur u kthye në qytetin e tij të lindjes, Visbaden në Gjermani. Numri 1 i Formula 1 për këtë sezon e donte një etapë feste mes njerëzve që i kishte njohur që fëmijë, dhe në rrugët e qytetit ku hodhi hapat e parë të jetës dhe ku u rrit. Gjermano-finlandezi 31-vjeçar ngriti një dolli me një gotë pije alkoolike molle, Apfelvajn, apo një “çys” siç i thonë gjermanët.
Me qindra tifozë ishin mbledhur në qendër të Visbadenit, ku mes tyre ishte edhe qytetari i parë, kryebashkiaku Sven Gerih, madje Rosberg edhe i shërbeu pijen alkoolike të mollës të quajtur në anglisht, sajder. Kampioni i botës bisedoi me banorët e Visbadenit, nënshkroi autografe dhe bëri foto, ndërsa vlerësoi rivalin e tij, Ljuis Hamilton, si “një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve”.