San Siro shumë shpejt do të pushojë së ekzistuari dhe interi e Milani do të kenë një stadium të ri për të zhvilluar ndeshjet e tyre. Dy klubet milaneze në ditët në vazhdim, ndoshta javën tjetër do të prezantojnë në Bashkinë e Milanos planin e tyre për realizimin e një stadiumi të ri që mendohet të përurohet në 3-4 vjet ndoshta në sezonin 2022-2023.
‘Bashkë me Milanin po punojmë për këtë projekt-tha Administratori i Deleguar i Interit, Alesandro Antonelo-stadiumi është një nga asetet thelbësore për përmirësimin e klubeve. Kemi ende punë për të bërë, por koha është maturuar. Së shpejti do t’i bëjmë të ditur bashkisë se cila do të jetë zgjedhja e këtyre klubeve. Kjo, sepse qyteti i Milanos ka nevojë për një stadium që të jetë në lartësinë e atyre të qyteteve kryesore evropiane’.
Mësohet se impianti i ri do të ndërtohet pranë San Siros së vjetër në zonën që aktualisht është parking. Sigurisht impianti aktual do të ekzistojë gjatë kohës që San Siro i ri do të jetë në fazën e ndërtimit, pas kësaj ai do të shembet.
sfidanti.al