Sezoni vazhdon dhe ai nuk ndalet. Eduard Rroca nuk mund të quhet më një zbulim në Turqi, por një konfirmim, dhe mesfushori shqiptar shkëlqeu sërish. Shënoi gol dhe shërbeu asist në fitoren 3-1 të Istanbulsporit në fushën e Altait në Ligën e Parë të Turqisë. Ishte një ndeshje shumë e mirë e futbollistit 27-vjeçar, dhe bashkë me të edhe e dy shqiptarëve të tjerë, Ethemit që bëri debutimin dhe Kristal Abazajt. Ethemi shënoi golin e dytë, i shërbyer nga Rroca, ndërsa Abazaj ishte njeriu-asist për rrjetën e tretë.
Natyrisht, ai që veçohet më shumë është Rroca që ka shënuar 6 gola e ka shërbyer 11 asistë në vetëm 16 ndeshje të Ligës së Parë turke. Gjithsesi, ambicia e tij për një ftesë në kombëtare duhet të presë. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit bëjnë me dijë se trajneri Reja dhe ndihmësit e tij nuk janë ende të bindur, dhe presin sezonin e ardhshëm kur lojtari nga Librazhdi të mund të tregojë veten në Superligën turke. Istanbulspori është në vendin e dytë në Ligën e Parë me 40 pikë, vetëm 1 pikë pas Giresunsporit kryesues, pra në pozicionin e duhur për t’u ngjitur në Superligë. Rroca, me vlerë kartoni gati 800 000 euro, mund ta ngjitet në Superligë edhe në mënyrë individuale, pasi paraqitja e tij e deritanishme ka zgjuar padyshim interesimin e klubeve në elitën turke.
Sfidanti.al