RFEF përgënjeshtron ‘El Mundo’; shitje biletash të shumta për Superkupën

Federata Spanjolle e Futbollit përgënjeshtron të përditshmen ‘El Mundo’ që në një artikull të së dielës kishte folur se për Superkupën e Spanjës ishin shitur vetëm 9% e biletave duke bërë që zhvillimi I këtij kompeticioni me formatin e ri në Arabinë Saudite të mendohet si një dështim. Në një komunikatë për shtyp, qeveria e futbollit iberik tregoi krejtësisht të kundërtën duke folur për një interesim shumë të madh të tifozëve

Në këtë komunikatë, Federata bën të ditur se kanë mbetur shumë pak bileta të pashitura. Për Barcelona-Atletiko Madrid ato janë shitur të gjitha, ndërsa për Real Madrid-Valencia janë ende 10 mijë bileta për t’u shitur. Sipas RFEF, vendi organizator është në pritje të biletave jo të komercializuara nga ana e të dy klunebe për të përmbushur kërkesën për rezervime dhe për të arritu në 62 mijë numrin e të pranishmëve në stadiumin King Abdullah Sports City në Xheda

Po kështu, Federata Spanjolle bën të ditur se për finalen e Superkupës që do të luhen në 12 janar janë shitur mbi 35 mijë bileta edhe pse kanë mbetur më pak se 24 orë kohë për këtë process. Për  këtë institucion, suksesi për praninë e tifozëve në stadium është I garantuar, pavarësisht mungesës së disa prej yjeve të skuadrave pjesëmarrëse si Benzema e Bejl te Reali I Madridit, Rodrigo Moreno te Valencia e Ter Shtegen te Barcelona.

Superkupa e Spanjës ka ndryshuar format për këtë sezon duke u kthyer në formulën ‘Final Four’ si në Euroleague në basketboll. Në Miniturneun që do të zhvillohet në Arabinë Saudite në 8-12 janar marrin pjesë, Barcelona, kampione e Spanjës, Valencia, fituese e Kupës së Mbretit, Atletiko e Real Madrid si skuadrat e renditura në vendin e dytë dhe të tretë sezonin e kaluar. Gjysmëfinalja e parë e Superkupës është Valencia-Real Madrid që do të luhet në 8 janar, ndërsa gjysmëfinalja e dytë është Barcelona-Atletiko Madrid në 9 janar.

Sfidanti.al