Revolucion në futboll: Lamtumira e vertetë e Liges e Kampioneve!

Revolucioni në futboll do të nisë më 2021. “Futboll Leaks”, një lloj WikiLeaksi sportiv, ka zbuluar se mbas tre vitesh 16 klubet më të pasur të Evropës do të bëhen pjesë e një superlige, krijimi i së cilës do ta prishë Ligën e Kampioneve.
Parashikohet se Reali i Madridit, Barcelona, Mançester Junajtidi, Juventusi, Bajerni i Mynihut, Çelsi, Arsenali, PSZH-ja, Mançester Siti, Liverpuli dhe Milani do të jenë klubet themelues të konkurrimit të ri futbollistik, kurse Atletiko e Madridit, Borusia e Dortmundit, Olimpiku i Marsejës, Interi dhe Roma do të luajnë si ekipe të ftuar në sezonin e parë të kësaj superlige, duke ndryshuar kështu formatin e futbollit evropian.
Kjo superligë, nëse krijohet, do të shkatërrojë jo vetëm Ligën e Kampioneve, por do të ndikojë negativisht te kampionatet kombëtare, pasi pritet që klubet e lartpërmendur, në përgjithësi, të luajnë në kampionatet e tyre me futbollistë rezervë që të përqëndrohen te superliga e re, ku janë edhe paratë më të mëdha. Madje thuhet se është përcaktuar e miratuar edhe formati i konkurrimit që do të ketë dy faza, paraeliminatore me grupe dhe, më pas, eliminatore.
Që superliga e re të jetë interesante, ajo do të ketë edhe një ligë të dytë, nga e cila ekipet më të mirë do të hyjnë në konkurrimin elitar.
Nëse ky projekt do të realizohet, ai do të përbëjë një dështim për UEFA-n që synon me të gjithë mjetet që t’i mbajë klubet më të pasur me lojtarët e tyre më atraktivë nën çadrën e saj.
Sfidanti.al