Atletiko e Madridit u eliminua nga Reali në Ligën e Kampioneve në stadiumin e saj, “Visente Kalderon”, ku ky ekip madridas luajti për herë të fundit, kështu që shumë tifozë e “zhveshën” këtë stadium që ka qenë “shtëpia” e Atletikos gjatë 50 viteve të fundit, duke marrë me vete, si kujtim, ndenjëset e tij. Stadiumi i ri, ku do të luajë në të ardhmen Atletiko, do të quhet “Vanda Metropolitano” që do të ketë një kapacitet prej 70 000 vendesh.
Në sajtin zyrtar të UEFA-s, tanimë, janë publikuar pamje mjaft atraktive të stadiumit modern të ri në gjendjen e tanishme. Sponsorë të ndërtimit të stadiumit të ri janë pronarët kinezë të Atletikos që, kohët e fundit, blenë 20 për qind të aksioneve të këtij klubi madridas. Duke marrë me vete ndënjëset, tifozët e Atletikos duket se harruan se ekipi i tyre do të luajë në “Visente Kalderon” edhe një ndeshje tjetër, me Atletikon e Bilbaos, në raundin e fundit të Primerës, kështu që administratës së këtij klubi do t’i duhet që të vendosë ndënjëse të reja vetëm për një ndeshje.
Sfidanti.al