Italia: Titulli i Kontes; Spanja: Kampion Çelsi më spanjoll!

Çelsi u shpall kampion i Anglisë dhe është klub anglez, por dy vende të tjera europiane po përpiqen “ta pronësojnë” titullin e bluve. Në Itali, mediat janë në delir për trajnerin Antonio Konte, duke e quajtur si arkitektin kryesor të suksesit, si njeriun që papritur sfidoi Mançester Junajtidin dhe Mançester Sitin duke dalë kampion jashtë parashikimeve. “Konte, mbret i Anglisë”, shkruan “La Gazeta delo Sport”. “Antonio, Antonio, Antonio, tifozët blu të çmendur pas tij”, vazhdon media e njohur. “Është triumfi i Kontes dhe i shkollës së trajnerëve italianë”. Konte ia dedikoi suksesin familjes që ndodhet në Itali, ndërsa u bë i dyti italian radhazi që u shpall kampion i Anglisë pas titullit të fituar vjet nga Klaudio Ranieri me Leisterin.

Në Spanjë, natyrisht, nuk kanë asgjë të keqe me Konten, por vëmendja më e madhe shkon tek futbollistët spanjollë. “Marka” shkruan se doli kampion Çelsi më spanjoll në histori. Në radhët e bluve ishin Sesar Azpilikueta, Diego Kosta, Markos Alonso, Pedro Rodrigez dhe Sesk Fabregas. Katër prej tyre, apo afërsisht gjysma e formacionit, ishin shumë të rëndësishëm. Diego Kosta ishte shënuesi më i mirë me 20 gola dhe 7 asistë, Pedro shënoi 8 gola dhe ishte në formë të madhe, Azpilikueta luajti për 36 ndeshje dhe për 3 240 minuta (Kosta mbi 3 000 minuta, Pedro në 30 ndeshje), ndërsa Fabregas erdhi në ngjitje duke luajtur në 27 ndeshje. Më pak, Alonso, por gjithsesi i rëndësishëm.

Sfidanti.al