Rafael Markez – i “përjetshëm” në përfaqësuesen e Meksikës

Ish-asi i Barcelonës Rafael Markez (39 vjeç) është përfshirë në listën paraprake prej 28 lojtarësh të Meksikës që po përgatiten të luajnë në Botërorin e Rusisë (14 qershor-15 korrik). Markezi ndodhet në rrugën për të marrë pjesë në Botërorin e tij të pestë me radhë dhe, kështu, të hyjë në shoqërinë e “të pavdekshmëve’, ku bëjnë pjesë vetëm tre lojtarë. Para Markezit, pesë pjesëmarrje në finalet e kampionatit botëror kanë dy portierë, meksikanasi legjendar Antonio Karbahal dhe legjendari italian, Xhanluixhi Bufon, si edhe vetëm një futbollist, gjermani Lotar Mateuz.

Antonio Karbahal; 1950, 1954, 1958, 1962, 1966.

Lotar Mateuz: 1982, 1986, 1990, 1994, 1998.

Xhanluixhi Bufon: 1998, 2002, 2006, 2010, 2014.

Rafael Markez: 2002, 2006, 2010, 2014, 2018?

Sa për kujtesë, Markezi ditët e tij më të lavdishme i ka kaluar te Barcelona, ku ka luajtur gjatë viteve 2003-2010, ndërsa ka luajtur edhe me Monakon, Nju Jork Red Bullin, Veronën dhe, tani, në Atlasin e tij meksikan, ku edhe e ka filluar karrierën. Me përfaqësuesen e Meksikës, ai ka luajtur në 143 ndeshje, ndërsa ka shënuar 19 gola.

Sfidanti.al