Zhoze Murinjo i jep Totenhemit finalen e parë pas plot 5 vjetësh!

Shorti ishte i favorshëm, por padyshim që ndeshjet duhen fituar. Totenhemi ia doli në gjysmëfinale të Kupës së Ligës ndaj Brentfordit me shifrat 2-0 dhe Zhoze Murinjo realizoi një premtim që i kishte dhënë presidentit Daniel Levi, që do të luftonte për trofe. Golat e Musa Sisokosë dhe Sonit bënë që të arrihej finalja, pra që Spërsat të luftojnë për trofeun e parë që nga viti 2008. Në finale do të ketë përballë Mançester Sitin ose Mançester Junajtidin.

Totenhemi mbetet e vetmja skuadër në vend që e ka fituar Kupën e Anglisë duke mos qenë pjesë e Ligës Profesioniste, gjë që ka ndodhur në 1901. Që nga ajo kohë, askush nuk ia ka dalë nga klubet amatorë. Po ashtu, Spërsat u bënë të parët që fituan “dablin”, pra suksesin e dyfishtë kampionat+kupë në 1961. Gjithsesi, “gjelat” nuk kanë mundur të jenë në lartësinë e dy emrave të tjerë të Londrës, Arsenalit e Çelsit që kanë fituar shumë më tepër trofe.

Totenhemi e fitoi titullin e fundit në 2008, Kupën e Ligës pas finales ndaj Çelsit (2-1). Në 2009, Spërsat arritën sërish finalen e Kupës së Ligës, por humbën me penallti ndaj Mançester Junajtidit dhe në 2015 u mundën 1-2 nga Çelsi po në këtë konkurrim. Në Kupën e Anglisë, finalja e fundit ishte në 1991 fituar 2-1 ndaj Notingem Forestit në kohën e Pol Gaskoinit dhe Geri Linekerit, ndërsa në 2019 arriti finalen e Ligës së Kampionëve humbur 0-2 me Liverpulin.

Sfidanti.al