Në vitin 2015, kur një legjendë vendosi të largohej nga fusha, ai i dha një këshillë Liverpuli. “Kapiten pas meje duhet të jetë Xhordan Hendersoni, – tha Stiven Xherrardi. Udhëheqësi i madh me numrin 8 u largua pa e fituar dot titullin kampion, por njeriu i propozuar prej tij, me 99.90 për qind të gjasave, do të ngrejë trofeun e Premier Ligës pas vetëm pak javësh, i pari titulli në këtë format të kampionatit, dhe i pari në 30 vjet për klubin e shquar anglez.
Xhordan Hendersoni e justifikoi shiritin që i dhanë, ai ishte i pari në sakrifica, edhe pse jo me talentin e një Lionel Mesi apo Zinedin Zidani, por me zemrën e madhe dhe etikën prej profesionisti. Gjithsesi, mesfushori e pati shumë të vështirë fillimisht, pasi mbërriti në një klub dhe skuadër në tranzicion. Ai gjykohej me standardet e fituesve serialë të Liverpulit si Mekdermot, Sunes apo edhe Xherrardi në kulmin e tij. Sër Aleks Fergusoni shkruajti në biografinë e tij në 2013 se “nuk e morëm Hendersonin sepse vraponte keq, dhe mund të dëmtohej në të ardhmen”. Kjo ndikoi edhe më shumë për keq. Trajneri Brandon Roxhers deshi ta kalonte tek Fulhami, por Hendersoni refuzoi. Drejtori sportiv, Damion Komolli tha se u shkarkua për shkak të Hendersonit, sepse drejtuesit e quajtën “shpenzim të kotë parash”, por më pas gjërat ndryshuan.
“Skuadrat e suksesshme nuk mund të jenë pa lojtarë si ai, – thotë Xherrardi, – unë e dija se ai do t’ia dilte. Unë e kam njohur Xhordanin në stërvitje, jam përballur me të, e kam parë se çfarë forme kishte. Ai ishte shumë i fortë fizikisht, shumë i përgatitur, stili i tij i jetës ishte shumë i mirë. Unë e njoha personalitetin e tij”.
Sfidanti.al