Ka qenë i përkëdhelur nga fati në karrierën e tij, pasi talenti ka qenë i madh. Xherdan Shaqiri e nisi në Zvicër, ku shkëlqeu me Bazelin, dhe pastaj shpejt e shpejt e mori Bajerni që shikoi tek ai një yll. Gjithsesi, shqiptari i Zvicrës nuk ia doli të bëhej bavarez i vërtetë, ndaj kaloi tek Interi ku sërish e humbi bastin. Ndoshta për shkak të ndryshimit të trajnerëve, por ndoshta edhe për faj të tij.
Në Angli, tek Stouk Siti, bëri shumë më tepër, por gjithsesi ishte një “kostum” që i rrinte ngushtë. Është diferencë e madhe mes Bajernit apo Interit dhe klubit të vogël anglez që tashmë u rrëzua në kategorinë e dytë. Sidoqoftë, Jurgen Klop po i jep një shans të tretë, pasi lajmet janë që e kërkon tek Liverpuli. Nuk do të ishte sukses i sigurt kalimi në një ekip me konkurrencë, por do të ishte kthim në arenën që i përket, ndaj edhe Xherdani nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.
Sfidanti.al