Arsenali u mund, për herë të dytë me radhë, në Premier Ligë, por, sidoqoftë, humbja 4-0 në “Enfild” ndaj Liverpulit ishte një humbje më shumë sesa e zakonshme. Duke pësuar katër gola dhe duke mos e dërguar topin pothuajse asnjëherë në kuadratin e portës kundërshtare, Arsenali, me të vërtetë, u turpërua. Traneri i tij, Arsen Venger, e ndau përgjegjësinë për këtë humbje poshtëruese me lojtarët:
“Ne luajtëm keq që nga minuta e parë deri tek ajo e fundit. Ne, vetë, ia lehtësuam punën kundërshtarit, prandaj duhet që ta analizojmë lojën tonë me gjakftothtësi. Nuk dua të flas për fërshëllimat e titozëve. Nëse problemi jam unë, më vjen keq, por kam mendimin se ndeshjen ne e humbëm të gjithë së bashku”.
Gjatë tri javëve të para të Premier Ligës angleze, mbrojtja e “topçinjve” ka pësuar tetë gola, duke e paraqitur veten si një nga mbrojtjet më të dobta në kampionatin anglez.
Sfidanti.al