Mbërritja në aeroportin katalanas ishte një rutinë. Ashtu si çdo blerje e re e futbollit, Usman Dembele preku tokën e Barcelonës, me ëndrra të mëdha, dhe i ndjekur nga kamerat dhe fotografët.
Një 20-vjeçar, qoftë edhe futbollist profesionist, mbetet një 20-vjeçar dhe nuk mund të mungonin vetëfotot, selfit në zhargonin popullor anglisht, me celularin e stolisur me ngjyrat e tij të reja. Entuziazmi nuk ishte shumë i madh nga tifozët, pasi nuk erdhi një Mesi apo një Nejmar, veçse Dembele është i vendosur të lerë shenjë.
Sulmuesi që vjen nga Dortmundi u shoqërua në selinë e klubit, në “Kamp Nou”, ku i veshur sportiv u paraqit më në fund si barcelonist, dhe kaloi ritualin e bezdisshëm të deklaratave-stampë, që realisht të bëjnë për të vjellë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, – ishin fjalët e tij, – Ka qenë gjithnjë ëndrra ime të jem tek Barcelona. Tani unë jam këtu dhe jam shumë i lumtur që e realizova ëndrrën. Jam në klubin më të madh të botës me lojtarët më të mëdhenj në botë. Synimi im është të bëj gjithçka për klubin dhe për ekipin”. Nuk dihet nëse ndryshoi ndonjë presje nga deklaratat e “filan” apo “fistek” futbollisti para tij.
Nuk mund të mungonin vizitat mjekësore, edhe pse askush nuk priste që të ndodhte diçka e pazakontë dhe e rëndë. Më pas, firma në kontratë, që presidenti Bartomeu shpreson të mos jetë si ajo e Nejmarit disa muaj më parë. Rutina, si një ceremoni tradicionale fetare, vazhdoi me daljen në fushën e shenjtë të “Kamp Nout”, duke treguar nivelin teknik.
Pavarësisht se pamjet e ofruara zyrtarisht nga Barça ishin shumë të mira, jo gjithçka kaloi mirë. Pati një moment kur Dembelesë i iku topi nga këmba, dhe natyrisht që pati tallje në rrjetet sociale.
I transferuar për 105 milionë euro, plus 45 milionë euro të tjera që mund të paguhen si shpërblime të ndryshme, Dembele është lojtari më i shtrenjë në historinë e Barcelonës. Presioni do të jetë shumë i madh, pasi pritet të zëvendësojë vetë Nejmarin, veçse ky djalosh i ri, futbollist i shpejtë dhe i talentuar, ka treguar tek Dortmundi se mund t’ia dalë në nivelet më të larta.
Sfidanti.al