Specialisti i njohur anglez i futbollit, Allen Pardju, u bë, dje, trajneri i dytë në Premier Ligën angleze që shkarkohet, gjatë këtij sezoni, pasi kryesia e klubit Kristal Pallas vendosi që ta ndërpresë bashkëpunimin me të. Kjo që ndodhi, nuk ka asgjë të çuditshme, pasi dihet se ky ekip londinez ndodhet në krizë dhe në vendin e 17-të në tabelën e klasifikimit, por me Pardjun vazhdon edhe një mallkim që e mban pjesëtari i përfaqësueses belge, Kristian Benteke, sepse, kudo që shkon ky sulmues, e pësojnë trajnerët e Premier Ligës, duke qenë se Pardju është trajneri i tretë në klubin e tretë të Bentekes që i refuzohen shërbimet. Seria filloi tek Aston Vila, ku Benteke u transferua, më 2012, nga Genku për shtatë milionë euro.
Ogurzez ishte edhe sezoni i dytë, gjatë të cilit ky futbollist belg nuk luajti, në pjesën më të madhe të ndeshjeve, për shkak të dëmtimeve, ndërkohë që Aston Vila ra nga kategoria dhe, si pasojë, trajneri Pol Lambert u shkarkua, në shkurt 2015. Atë verë, Benteke u shpërgul në Liverpul për 32,5 milionë sterlina me insistimin e trajnerit Brendan Roxhers, por specialisti veriirlandez arriti të bashkëpunojë me të (Benteken) vetëm tre muaj, pasi, në tetor, ai u shkarkua. Benteke vetë nuk i justifikoi shpresat dhe, në fund të sezonit, u shit.
Por, Pardju, atëkohë, nuk e kuptoi mallkimin e sulmuesit belg dhe e pagoi shtrenjtë këtë. Benteke pati një fillim relativisht të suksesshëm te Kristal Pallasi, duke shënuar tetë gola në 15 ndeshje, por një gjë e tillë nuk e ndihmoi ekipin që t’i afrohej, të paktën, mesit të tabelës, kështu që ende ekziston rreziku u rënies nga kategoria dhe kryesia e klubit vendosi, dje, që t’i refuzojë shërbimet e Pardjusë, duke e vazhduar kështu mallkimin e Bentekes në Premier Ligë: kudo, ku shkon ai, trajnerët shkarkohen!
Sfidanti.al