Shkoi siç duhet java e ndeshjeve të Krishtlindjeve për trajnerët kryesorë në Premier Ligë. Antonio Konte, Zhoze Murinjo dhe Arsen Venger fituan dhe e shtuan gëzimin e festës që patën dje (nëse patën mundësi ta ndjejnë). Çelsi sikur reagoi ndaj kritikave (mes të cilëve edhe Murinjo), duke mos shënuar një gol për 3 pikë, por tre gola. Pedro, Hazar me penallti dhe Pedro përsëri në minutën e fundit, ishin autorët e tyre në triumfin “rutinë” ndaj Bornemuthit në “Stemford Brixh”. Dymbëdhjetë fitore radhazi për blutë e Kontes që duan rekordin e Arsenalit dhe që duan të paktën të ruajnë distancën 6-pikëshe nga ndjekësit.
Sukses, por shumë më i vështirë, për Arsen Vengerin dhe Arsenalin. Në “Emirejts”, shpëtimi erdhi vetëm 4 minuta para fundit dhe shpëtimtari, ai që shënoi rrjetën e vetme kundër Uest Bromit, sërish e pati emrin Olivie Zhiru. “Topçinjtë”, ia dolën me mjaft mund të mos mbeteshin më shumë se 9 pikë prapa kreut.
Bindi edhe Mançester Junajtid. Formacioni i Murinjos vazhdoi të luante mirë, siç kishte bërë gjithë këta javë, dhe Zllatan Ibrahimoviç vazhdoi të shënonte. Fillimisht, në portën e Sandërlendit gjeti rrugën e rrjetës mbrojtësi holandez, Blind, pastaj realizoi Ibra, dhe të tretin e shtoi Mkitarian. Sandërlendi shënoi një gol ngushëllimi të vogël me anë të italianit Fabio Borini. Junajtid ka 33 pikë dhe mbetet me shpresa të paktën për Championsin.
Java 18: Çelsi-Bornemuth 3-0, Arsenal-Uest Brom 1-0, Man. Junajtid-Sandërlend 3-1, Leiçester-Everton 0-2, Uatford-Kristal Palas 1-1, Bërnli-Midëllrbrou 1-0, Suonsi-Uest Hem 1-4. Renditja: Çelsi 46, Liverpuli 37 (-1), Arsenali 37, Man. Siti 36 (-1), Totenhem 33 (-1), Man. Junajtid 33.