FIFA po konsideron masa shtesë për të reduktuar veprimet antisportive dhe trazirat nga lojtarët në ndeshjet e futbollit, duke u afruar në disa aspekte me ndeshjet e regbisë. Legjenda e futbollit holandez, Marko Van Basten, tashmë në një rol drejtues në FIFA, tha se është i vendosur të ulë numrin e incidenteve në fushë dhe konfrontimet me arbitrat. Ish-kampioni i madh holandez ka propozuar një rregull të ngjashëm me regbinë, ku vetëm kapitenët e ekipeve mund t’u flasin arbitrave në momente kyçe të ndeshjes.
“Sjellja e futbollistëve mund të përmirësohet, nëse ne ndërhyjmë aty ku duhet. Do të jemi më të kujdesshëm me kohën që shkon kot, pasi jo pak herë shikojmë të gjithë ekipin që proteston tek arbitri. FIFA kërkon një futboll të bukur dhe dinamik, por gjithashtu të ndershëm. Sigurisht që ndeshja përfshin emocione të mëdha, por ne duhet ta kontrollojmë”, tha Marko Van Basten, shef për zhvillimin teknik në qeverinë e futbollit botëror. Një temë e prekur nga holandezi ishte edhe sistemi i videove për arbitrat, që pati reagime të ndara, me disa momente që krijuan më shumë kaos në fushë, kur pritej të zgjidhnin dilema.
“Sistemi për moviolën nuk është perfekt, por do të jetë i rëndësishëm për të sqaruar incidente të përmasave të mëdha gjatë ndeshjeve, siç ka qenë për shembull goli me dorë i Diego Maradonës në Botërorin e vitit 1986. Ky është fokusi ynë kryesor”, tha Van Basten.