Skuadra e Jurgen Klop bëri një ndeshje të madhe përballë “Topçinjve” dhe meritoi trepikëshin, që e ngjit në vend të tretë me 52 pikë
Liverpuli tregoi se është një skuadër e madhe dhe fanella e saj ka peshë që di të shfaqë vlerat e veta pikërisht në ndeshjet e rëndësishme e të mëdha. “viktimë e skuadrës së trajnerit Jurgen Klop ishte dje Arsenali, të cilin e mundi me shifrat 3-1. Që në fillim të ndeshje Liverpuli tregoi se ishte në formë të shkëlqyer dhe i vendosur për të marrë tri pikët, në një ndeshje ku kundërshtari i fortë synonte me patjetër të dilte me pikë nga “Anfield”.
Ndeshja midis dy skuadrave të mëdha angleze u luajt në kuadër të javës së 27-të të Premier League. Si trajneri Klop, ashtu dhe tekniku u Arsenalit Arsen Venger, hodhën në fushë më të mirët që kishin në dispozicion, por në një stadium ku dominonte ngjyra e kuqe është e vështirë të dalësh me pikë, prandaj dhe Arsenali e pati të vështirë të dilte në lojën e tij më të mirë.