Boban beson te rizgjedhja e Infantinos

Zvonimir Boban, ish-mesfushori i shquar kroat i Milanit dhe “Chief of Football” në UEFA deri në 2024-ën, ka folur pa filtra për “Radio Anch’io Sport”. Ai ka prekur tema të ndryshme të nxehta të momentit, nga zgjedhjet në FIFA, te Milani dhe situata e Petar Sucic tek Interi.

“Konflikti mes FIFA-s dhe UEFA-s? Besoj se në fund do të qetësohet gjithçka, askush nuk do të bëjë luftë me askënd. Pavarësisht disa gabimeve dhe unë e kam kritikuar, nuk mund të hedhim poshtë ato të mira që ka bërë Infantino. Në fund do të votohet për të.

Nuk mendoj se do të ketë opozitë, por edhe nëse do të ketë, nuk do të ketë forcën për ta mundur. Ka kontrolluar Azinë, Amerika e Jugur dhe Afrika kanë mbetur me të. Europa nuk besoj se është homogjene siç mendohet. Pastaj është gjithmonë dëshira e UEFA-s që të tregojë se është më e fortë se FIFA. Por FIFA është ajo që qeveris”.

Për të ardhmen e Botërorit, Boban u shpreh: “Kupa e Botës me 64 skuadra? Loja nuk duhet humbur. Kemi një Europian me 24 skuadra nga 55, një Botëror çdo 4 vjet me 48 skuadra nga 211 federata. Nuk mendoj se do të zgjerohet me 64 skuadra, por nuk do të ishte dramë, nëse ndodh. Nuk e shoh si tragjedi faktin që t’u jepet mundësia vendeve të vogla të marrin pjesë çdo 4 vjet. Nuk e shoh si problem të kemi më shumë skuadra, është bukur të shohësh kombet e vogla të rriten, të argëtohen”.