Tifozët sulmojnë Rashfordin, por i kujt është faji tek Man. Junajtidi?!

Nja dhjetë ditë apo dy javë më parë, ish-sulmuesi Agbonlahor, deklaroi se prania e Kristiano Ronaldos po prish punë në “Old Traford” sepse ai po i mbyll rrugën drejt lojës dhe golit të rinjve si Rashford, Sanço apo Grinvud. Fjalët e tij u rikujtuan pas kritikave të forta për Rashfordin në ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Aston Vilës. Edhe pse u fitua 1-0, ndërsa u luajt në shtëpi, loja ishte e dobët dhe miqtë patën epërsi. Jo vetëm kaq, por ylli i Anglisë, Rashford, luajti dobët dhe pati momente kur u duk se nuk donte të impenjohej. Analistët thonë se është i pakënaqur, tifozët e sulmojnë ndërsa trajneri Rangnik tha se nuk e ka idenë se përse duhet të jetë i mërzitur. “Ai mund të shënojë gola”, – tha gjermani. Mos vallë prania e Ronaldos po dëmton të rinjtë dhe po u heq dëshirën për të luajtur, meqë portugezi kërkon që të gjithë golat t’i shënojë vetë? Në të vërtetë, CR7 nuk luajti në këtë ndeshje, por ndoshta dëmin e ka bërë.

Sfidanti.al