Një superduel i tillë që në javën e dytë është një bekim. Mançester Siti pret Totenhemin në “Etihad” këtë fundjavë, në përballjen më të madhe të fillimit të Premier Ligës, duke u dhënë nga parashikuesit si favorit për të fituar ndeshjen, si dhe vetë titullin. E mbiquajtur një “Skuadër Ëndrrash”, po aq sa Mançester Junajtidi i Sër Aleks Fergusonit, kjo e Pep Guardiolës duket e destinuar për gjëra të mëdha, sidomos në Angli ku ia ka marrë dorën kampionatit, ndonëse trajneri katalanas ka disa fjalë paralajmëruese.
“Do ta mundim Totenhemin me siguri? – tha ai në formë pyetjeje, – po, a e dini ju, se Totenhemi është skuadra e dytë më e fortë në Europë pas Liverpulit? Si mund të mundet lehtë një kundërshtar i tillë”. Fjalët e Guardiolës ndoshta nuk duken shumë të besueshme, kur fjala është për një ekip me yje të jashtëzakonshëm, por londinezët sezonin e kaluar treguan se mund t’ia dalin edhe në “Etihad”. Pikërisht aty u kualifikuan për në gjysmëfinalen e Championsit, pas vendimeve të VAR-it.
“Ndaj Totenhemit kemi pasur gjithnjë ndeshje të vështira, – pohoi Guardiola, – ata kanë qenë pretendentë të vërtetë në çdo sezon që unë kam qenë në Angli”. Gazetat angleze shkruajnë se Spërsat ishin një nga ekipet e paktë që vjet treguan se mund t’ia dalin me Mançester Sitin.
Sfidanti.al