Rubljov: Fitorja ndaj Federerit, më e madhja në karrierë!

Andrej Rubljov me siguri që do ta mbajë mend gjatë raundin e tretë të turneut Masters të Çinçinatit (SHBA), duke qenë se ai arriti të eliminojë tenistin me të suksesshëm në historinë e këtij turneu.

Rozher Federer e ka fituar shtatë herë turneun e Çinçinatit dhe në ndeshjen kundër tenistit rus të lartpëmendur ai hyri si favorit absolut, por, nëse atij nuk i shkoi asgjë mirë gjatë kësaj ndeshjeje, Rubljovi i ri ishte perfekt në gjithçka dhe me lojën e tij agresive e “çarmatosi” plotësisht raketën nr.3 të botës, duke fituar 2-0 (6-3, 6-4) brenda 61 minutash dhe duke arritur fitoren më të madhe në karrierën e tij.

Rusi i ri, mbas ndeshjes, u tregua një xhentelmen i vërtetë, duke theksuar madhështinë e Federerit: “Nuk ka asnjë dyshim se kjo është fitorja më e madhe që unë kam arritur ndonjëherë në karrierën time. Federeri është një legjendë e vërtetë, ka kaq vite që luan dhe ndodhet nën presion të madh, pasi atij i kërkohet që të fitojë çdo ndeshje. Unë pata fatin që të luajë direkt me të, ndërkohë që deri tani e kisha parë vetëm në TV. Rozheri ëshë një legjendë e vërtetë. Madje edhe mënyra sesi më pa mua mbas ndeshjes, ishte madhëshore, e një niveli të veçantë, më buzëqeshi dhe më përgëzoi. Kjo për mua ishte diçka e pazakontë”.

Sfidanati.al