Siti i Guardiolës ende jo “artileri” si Bajerni, por po shkon drejt titullit

Bavarezët kanë arritur në 74 rrjeta në vetëm 25 javë kampionat, ndërsa kryesuesit e kampionatit anglez janë në “vetëm” 64 pas 30 ndeshjesh. Edhe pse këtë të shtunë, Mançester Siti shkatërroi Fulhamin jashtë fushe 3-0, sërish niveli i golave të Bajernit mbetet tepër lart, një ndryshim tendence sepse gjithnjë ekipet e Guardiolës kanë qenë ata që kanë shënuar më shumë në Europë.

Gjithsesi, faji ka qenë tek fillimi i dobët i sezonit, ndërsa prej javësh Siti po e merr veten pavarësisht humbjes në shtëpi në derbin ndaj Mançester Junajtidit. Në fushën e Fulhamit golat erdhën në pjesën e dytë shënuar nga mbrojtësi Xhon Stouns, sulmuesi brazilian Gabriel Zhezus dhe kapiteni Sergio Aguero që ishte titullar këtë herë. Argjentinasi realizoi me 11 metërsh duke thelluar rekordin e tij të golave për klubit në 181 në Premier Ligë dhe 257 gjithsej. Ai është në vendin e katërt të renditjes së Premierit për të gjitha kohët, vetëm 6 gola larg Andi Koulit, kurse Uejn Runi me 208 dhe Alan Shirer me 260 duken larg.

Siti ka 71 pikë në krye të renditjes dhe po shkon i sigurt drejt titullit kampion, të tretit në katër vitet e fundit. Kjo është edhe gjëja më e rëndësishme. Kur ka edhe 24 pikë në lojë, ekipi i Guardiolës ka 71 pikë, 17 pikë më shumë sesa Mançester Junajtidi që ka luajtur dy ndeshje më pak.

Sfidanti.al