Sinqeritet i Kontes për titullin e Çelsit, por ç’mendon Abramoviçi!

“Çelsi nuk është në garën për titull”. Këto ishin fjalët e Antonio Kontes, pasi skuadra e tij u mund 0-1 nga Uest Hemi, në derbin e luajtur në “Stadiumin Olimpik të Londrës”. “Ne e nisëm me humbje në shtëpi dhe tani humbëm përsëri, – tha trajneri italian, – kur humb 4 ndeshje nga 16, kjo do të thotë se pretendimet për titull nuk kanë nisur kurrë”.

Dakord, ish-trajneri i Juventusit dhe Italisë u tregua shumë i sinqertë, duke arsyetuar se “lodhja po bën të vetën, dhe ne duhet të marrim masa”. “Është normale të lodhesh kur luan çdo tre ditë, dhe ne po luajmë me të njëjtët lojtarë, – vazhdoi ai, – mund të jesh në garë për titull kur humb 1 apo 2 herë deri në fund të vitit, jo katër herë”. Nga blutë u larguan Diego Kosta, Matiç, Ejk dhe Begoviç, ndërsa erdhën Morata, Drinkuotër, Zapakosta, Bakajoko, Rudiger dhe Kabejero, por sërish skuadra duket “e hollë” me ngarkesën shtesë të Championsit.

Nuk dihet sesa mund ta përballojë këtë sinqeritet presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç, pasi bosi i londinezëve kurrë nuk i ka falur trajnerët e tij kur nuk kanë fituar. Ndodhi me Murinjon, Ançelotin, Di Mateon apo Benitezin, mund të ndodhë edhe me Konten, që vjet fitoi titullin.

Sfidanti.al