Salah qesh për Topin e Artë: Ndoshta më mirë vitin e ardhshëm!

Nuk do të jetë e lehtë, por me një yll të tillë gjithnjë ka shpresë. Mohamed Salah po luan sezonin më të mirë për Liverpulin, e padyshim është lojtari numër 1 në Premier Ligë siç e tregoi në derbin me Evertonin. Dy gola të sulmuesit egjiptian ndihmuan të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop në suksesin 4-1, duke treguar pretendimet e mëdha për titullin. Salah ka 18 gola e 7 asistë në 19 ndeshje gjithsej për të kuqtë. “Një rezultat i madh, – tha egjiptiani, – që erdhëm këtu dhe fituam ndeshjen. Shënuam 4 gola dhe niveli ynë është vërtet shumë i lartë. Jemi në një moment shumë të mirë në ligë, fituam 4-1 me Evertonin, shënuam 5 ndaj Man. Junajtidit. Shpresoj që të vazhdojmë kështu”.

Salahu u ngacmua për vendin e 7-të në renditjen e Topit të Artë, por ai foli shkurt. “Unë nuk kam komente”, – ishte përgjigja, – ndoshta vitin tjetër jam më lart, kush e di. Faleminderit”. Pas fitores, Klop u pyet me ngacmim nga një gazetar: Si po ia kaloni? “Jo keq faleminderit, – ishte përgjigja, – kjo ishte ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar në “Gudison” që kur jam trajner këtu. Ishim më të qetë dhe më të bindur se kurrë në vetvete. Salah ishte i shkëlqyer dhe jo vetëm për dy golat, por të gjithë lojtarët ishin lart”.

Gjithsesi, në krye të Premier Ligës mbetet Çelsi, edhe pse fitoi me fat 2-1 në fushën e Uatfordit. Maunt e Zijeç shënuan për Blutë e Londrës, që ishin larg maksimumit. Mançester Siti është i dyti dhe pati një fitore të vështirë po 2-1 në “Vila Park” ndaj Aston Vilës Ruben Dias e Bernardo Silvën realizuan për ekipin e Guardiolës. Çelsi kryeson me 33 pikë, ndaj 32 të Sitit e 31 të Liverpulit.

Sfidanti.al