Përse FSHF u kujtua pikërisht tani për ligjin e sponsorizimit?!

Vitin e kaluar pati një bojkot nga gushti deri në fillim të nëntorit, kur futbolli u ndal. Kërkesa e Federatës Shqiptare të Futbollit, formuluar nëpërmjet Ligës Profesioniste ishte që qeveria të bënte koncesione për 4 çështje të rëndësishme, mes të cilave kryesore ishte ajo e sponsorizimit. Historia e përplasjes me qeverinë dihet, dhe po ashtu përgjigja e Ramës, nëpërmjet Ministrisë së Financave, që formuloi dhe miratoi në parlament ligjin e ri të sponsorizimit. Kaluan gati 12-13 muaj dhe papritur kthehet historia e sponsorizimit. Liga e Futbollit, e cila nuk dëshiron të zgjedhë një president, kujtohet në dhjetor 2021 se ligji i miratuar në nëntor 2020 nuk është i kënaqshëm! Me gjasë mund të ketë bojkot, ndonëse klubet nuk është se e kanë me qejf sepse sezoni ka nisur dhe do të kishte pasoja. Pyetja më normale që bëhet është se përse pas 1 viti u bë sërish e njëjta kërkesë që mori përgjigje atëherë? Çfarë halli jashtë futbollit mund të qajë këtë herë futbolli?

Sfidanti.al