Poçetino-Murinjo-Poçetino-Konte-Fonseka-Gatuzo! Ç’ndodh me Totenhemin!

Po ndodh ajo që ngjau tek Interi me Antonio Konten dhe deri diku tek Reali me Sergio Ramosin. Kur nuk ka para, ka sherre, dhe trajnerët e lojtarët janë të pakënaqur, ndërsa klubet bëhen “kurnacë”. Presidenti dhe pronari i Totenhemit, Daniel Levi, nuk po arrin të gjejë dot trajner ndonëse në Europë emrat e njohur janë të shumtë. Përpjekja për të marrë Xhenaro Gatuzon përfundoi pa sukses, dhe besohet se Levi u ndikua nga pakënaqësia e tifozëve. Gatuzo u quajt trajner mbrojtës, racist, maskilist dhe sherranjos, plus që kishte kapur për fyti ish-trajnerin e Totenhemit kur luante për Milanin. Besohet se problem kanë qenë edhe investimet, diçka që e bëri Gatuzon të largohej nga Fiorentina.

Totenhemi ndodhet në një pozitë shumë të vështirë, pasi nuk po stabilizon dot stolin. Shkarkimi i Maurisio Poçetinos në 2019 ishte fillimi i tmerrit, me Murinjon që nuk arriti “të qulloste gjë”, ndërsa rikthimi i Poçetinos nuk u arrit, me Konten nuk u ra dakord, po ashtu si me Fonsekën, ish-trajnerin e Romës. Problem i madh fakti se pa një trajner të madh, ylli kryesor i skuadrës, Harri Kejn, mund të largohet këtë verë.

Sfidanti.al