Shkalla e vështirësisë në këtë seri të plej ofit në NBA-së është maksimale. E siguroi Miluoki Baks që fitoi ndeshjen e gjashtë ndaj Bruklin Netsave duke barazuar shifrat në 3-3, barazimi i fundit që mund të jetë, dhe tani gjithçka do të vendoset në ndeshjen e shtatë, në finalen e finaleve në Nju Jork. Ishte “treshja e artë” që ndihmoi vendasit, e përbërë nga Janis Antetokumbo, Kris Midëlton dhe Xhejru Holidei. Kapiteni Antetokumbo shënoi 30 pikë, kapi 17 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe udhëhoqi ekipin në sulm e në mbrojtje. Midëlton pati 38 pikë, 10 topa në tabela, 5 asistë dhe 5 vjedhje topi, ndërsa Holidei shtoi 21 pikë, 8 topa në tabela, 5 asistë e 4 vjedhje topi. Një kontribut i përbashkët i shkëlqyer.
Kevin Duranti nuk e pati në krah Kajri Irvingun e dëmtuar, ndërsa Xhejms Harden luajti gjatë, edhe pse jo në maksimumin e mundshëm fizik. Kjo ndikoi tek Bruklini që humbi 89-104, një disfatë relativisht e thellë me 15 pikë diferencë. Durant shënoi 32 pikë dhe pati 11 topa në tabela e 3 asistë, ndërsa Harden 16 pikë, 5 topa në tabela, 7 asistë e 4 vjedhje topi. Sërish ishin pak, por ndoshta ndeshjen e shtatë në shtëpi, Bruklini mund ta fitojë dhe të shkojë në finalen e Konferencës Lindore në NBA.
Sfidanti.al