Kapitenët e Realit pas Ramosit: Marselo, Benzema, Varan, Naço!

Një ekip zakonisht ka katër të tillë, të cilët zëvendësojnë njëri-tjetrin ku ka probleme dëmtimesh apo pezullimesh, apo ndonjë diçka tjetër që nuk shkon. Më herët, tek Reali kanë qenë Iker Kasijas, Sergio Ramos apo edhe Kristiano Ronaldo, ndërsa tani me iken edhe të Ramosit, hierarkia ka ndryshuar. Gjithsesi, në Madrid nuk kanë “graduar” të tillë veteranë të shquar si Luka Modriç apo Toni Kros, ndonëse i pari është kapiten i Kroacisë nënkampione të botës, dhe tjetri ka provuar edhe shiritin e Gjermanisë.

Jo, në “Bernabeu”, hierarkia e kapitenëve nis me 33-vjeçarin brazilian, Marselo, edhe pse ky shpesh nuk ka luajtur me Zidanin duke mos qenë gjithnjë në formë. Më pas vazhdon 32-vjeçari francez, sulmuesi Karim Benzema, e në vijim Rafael Varan (28 vjeç) dhe Naço (31). Varan ndoshta mund të largohet këtë verë, dhe Ançeloti do të duhet të gjejë një tjetër kandidat për kapiten.

Sfidanti.al