Për Xhakën po luhet lojë “macja me miun” mes Arsenalit e Romës!

Dëshira e lojtarit është që të shkojë në Itali, në “Qytetin e Përjetshëm”. Me gjasë, Granit Xhakës i ka ardhur në majë të hundës Arsenali, me problemet që ka pasur me tifozët dhe me faktin se ka fituar vetëm 2 Kupa të Anglisë në 5 vjet. Besohet shqiptari i Zvicrës është i lumtur që Roma dhe Zhoze Murinjo e kanë kërkuar dhe e kanë quajtur të rëndësishëm, ndryshe nga vlerësimi në Premier Ligë që ka qenë “jo mjaftueshëm”. Gjithsesi, Roma nuk dëshiron të japë 20 milionë euro për kartonin e 28-vjeçarit, ndaj edhe po e vonon përgjigjen. Si reagim, Arsenali i ka propozuar Xhakës rinovimin e kontratës që i përfundon në 2023. Nuk besohet se kapiteni i Zvicrës ka synim të rinovojë, por këto janë veprime që klubet ia bëjnë njëri-tjetrit si një lojë “macja me miun”.

Sfidanti.al