Morata shpërthen me “kurën” Sarri, por trajneri ka ende frikë

Sulmuesi spanjoll ishte deklaruar i dështuar pas një periudhe të gjatë pa sukses nën Antonio Konten, por edhe nën Mauricio Sarrin. Alvaro Moratës iu desh “një jetë” për të nisur të bënte detyrën, pra të shënonte gola, ndërsa pati një shpërthim ndaj Kristël Palasit, me dy rrjeta.

Lavdërimet për spanjollin ishin të shumta, ndërsa Çelsi fitoi 3-1 dhe u mbajt në tri vendet e para të Premier Ligës, veçse trajneri i tij nuk ishte ndër ata më të ekzaltuarit. “Morata duhet të kapërcejë dobësinë psikologjike për t’u barazuar me sulmuesit më të mirë të kampionatit si Harri Kejn apo Kun Aguero, – u shpreh Sarri, – Alvaro është përmirësuar shumë muajin e fundit, por është ende tepër delikat në mentalitet. Ai është më mirë si personalitet, me besimin në vetvete, madje edhe në aspektin teknik, por duhet ende punë”.

Sfidanti.al