Lejkërs, mos u gëzo para kohe, Toronto “ta tregoi vendin”!

Mund të quhesh Los Anxhelos Lejkërs, mund të kesh në përbërje basketbollistin më të madh të botës, pra Lebron Xhejmsin, dhe të kesh si spektatorë në Arenë yjet më të mëdhenj të Hollivudit. Sërish, kjo nuk mjafton për të fituar. Skuadra kaliforniane e kuptoi shumë mirë këtë në ndeshjen në shtëpi ndaj Torontos.

Rezultat 107-121 në “Stejpëlls Sentër”, humbja e parë pas dy fitoreve radhazi, dhe me një Lebron për fat të keq, të dobët. Superylli shënoi vetëm 18 pikë në 28 minuta në parket, ndërsa kanadezët dominuan edhe pse nuk kishin lojtarin e tyre kryesor, Leonardin.

Jo vetëm kaq, por perioda e parë ishte katastrofale, me rezultatin 17-42, hera e parë që kjo i ndodh një skuadre në NBA që nga viti 1954. Mbrojtja tepër e dobët nuk lejoi që Lebroni të tregonte klasin e tij në sulm, ndërsa presioni mbi trajnerin Ljuk Ualton po rritet. Duket se do të duhet kohë që Lejkërsat të bëhen skuadër e madhe, diçka që nuk i pëlqen 33-vjeçarit Xhejms, ndërsa Toronto u mbështet tek Kajl Louri, që shënoi 21 pikë dhe shërbeu 15 asiste, ndërsa spanjolli i natyralizuar, Serg Ibaka shënoi 34 pikë në vetëm 29 minuta.

Toronto kryeson Konferencën Lindore me 9 fitore e 1 humbje, ndërsa Lejkërsat janë të katërtët nga fundi në Perëndim, me 4 fitore e plot 6 humbje.

Sfidanti.al