Mançester Siti, përse tifozët e tu nuk blejnë biletat në “Uembli”!

Ndoshta kanë filluar të ngopen, apo ndoshta janë të tronditur nga kjo që po ndodh. Mançester Siti ka një problem me tifozët, siç raporton media britanike, pasi shumë prej tyre nuk po blejnë biletat e caktuara për ta në finalen e Kupës së Ligës në “Uembli”. “Deili Meil” raporton se tifozët e Sitit nuk po blejnë biletat më të shtrenjta, siç duket edhe të penguar nga çmimi i tyre i lartë. Të mos harrojmë se pak javë më parë, trajneri Pep Guardiola u kritikua rëndë nga tifozët për komentet e tij lidhur me faktin se stadiumi “Etihad” nuk mbushet gjithnjë plot.

Nga ana tjetër, duket se kjo pengesë nuk ekziston për tifozët e Aston Vilës, finalistit tjetër të Kupës së Ligës. Drejtuesit e klubit nga Birmingami theksuan se janë në gjendje të mbushin 100 për qind stadiumin me 90 000 vende, vetëm me tifozët e tyre. Duket se përkrahësit e Aston Vilës janë shumë të lumtur që skuadra e tyre, dikur kampione e Europës në 1982 (dhe e Anglisë në 1981) u kualifikua për në një finale kupe.

Sfidanti.al