Liverpuli në krye të Premier Ligës? Nuk është rastësi!

As tifozët më besnikë dhe më të çmendur nuk e besonin që pas 916 ditësh Liverpuli i tyre do të ngjitej në krye të renditjes së kampionatit. Edhe pse optimizmi ishte rritur me trajnerin Klop, pavarësisht finaleve brutale të humbura vjet në Kupën e ligës dhe në Ligën e Europës. E, nëse të kuqtë janë në krye pas 11 javësh, sa besim mund të kenë tifozët se do të fitohet titulli i parë që nga viti 1990? Duket një jetë larg, më shumë sesa periudha “e thatë” e Mançester Junajtidit nga 1969-ta deri tek titulli i Fergusonit më 1993!
Për të gjykuar më drejt, lexoni diçka për skuadrën e Klopit. Liverpuli shënon më shumë se të tjerët në Premier, 30 gola, dhe ndaj Uatfordit theu rekordin e gjuajtjeve drejt portës (17) që kur sistemi OPTA nisi të mblidhte statistikat e kampionatit anglez. “Redsat” janë ata që gjuajnë më shumë drejt portës deri tani (146 herë), dhe që krijojnë më shumë raste se të tjerët (171).
Jo vetëm kaq. Liverpuli jep më shumë pasime se të tjerët (6590), është ekipi i dytë më i mirë në zotërimin e topit (61.21 për qind), është i dyti në renditjen e topave të rikuperuar (713) dhe është skuadra së cilës i gjuhet më pak në portë, vetëm 89 herë. Jurgen Klop e ka treguar veten të fortë me të fortët, kur është ndeshur me Junajtidin, Çelsin, Ranierin, Vengerin, Van Galin apo Pelegrinin. Së fundi, ekipi ka gjetur një lider, Filip Kutinjon, si dhe një treshe goli të përbërë nga Firmino, Mane dhe Lalana.

B. Kuka