Ventura “djeg” Balotelin për Italinë: Nuk ndryshon historia në 2 muaj!

Fanela e Kaltër kërkon më shumë djersë që të vishet. Pasi e pati në trup me Prandelin dhe fare pak me Konten, Mario Baloteli me shumë gjasa besoi shumë se do ta kishte përsëri me Xhampiero Venturën. Dy muaj shkëlqim me Nisën në Francë, mund edhe të mjaftonin. Jo për trajnerin e ri të italianëve. “Nuk mund të mendohet që në dy muaj ndryshoi papritmas historia e një njeriu, – tha Ventura që nga grumbullimi i të kaltërve në Koverçano, – natyrisht, do të bisedoj me të për të kuptuar se çfarë dëshiron që të bëjë Mario. Të mos harrojmë kishte 1 vit e gjysmë pa luajtur”. Gjithsesi, sipas trajnerit porta do të jetë e hapur, mjafton që të bindë në të gjitha aspektet.
Pak pyetje për Lihtenshtajnin, kundërshtarin e radhës në Botëror, të shtunën në Vaduc. “Një ndeshje që mendohet e fituar, por që duhet fituar, – thotë trajneri, – ndaj Spanjës humbën 0-8, por ishin 0-1 deri në minutën e 65-të”. Më pas, në 15 nëntor, vjen miqësorja e luksit me Gjermaninë. “Mëkat, – qahet Ventura, – Gjermania nuk është kombëtarja e duhur për të bërë eksperimente me të rinjtë”.

B. Kuka