Viktor Lindelof do të jetë sipas të gjitha gjasave qendërmbrojtësi i ri i Mançester Junajtidit. Futbollisti suedez ka fituar admirimin e Zhoze Murinjos për shkak të ndeshjeve shumë të mira që ka luajtur me Benfikën këtë sezon. Trajneri portugez e ka ndjekur 22-vjeçarin me njerëzit e tij, dhe është bindur se Lindelof do të ishte një “shpërthim” në “Old Traford”. Gjërat tashmë duken “të kopsitura”.
Një delegacion i Benfikës është takuar me njerëzit e lartë të Junajtidit dhe shifra që do të paguhet besohet se do të jetë 45 milionë euro apo diçka më shumë. Shumë para për një mbrojtës, por të mos harrojmë se bëhet fjalë për një “Njeri të Akullt” vetëm 22-vjeçar. Sezonin e kaluar ai shkëlqeu dhe u shpall kampion i Portugalisë, duke luajtur me shumë gjakftohtësi dhe nivel të lartë për moshën e tij. Murinjo kërkon të forcohet që në janar, pasi Erik Beili largohet për në Kupën e Afrikës, ndërsa Xhons e Roho edhe pse po paraqiten mirë, nuk i duken siguri e plotë trajnerit.