Ja çfarë ndodh, kur një ndeshje futbolli e karrikon artificialisht, duke e bërë shumë më speciale, se cilësia që ofrojnë protagonistët në fushën e lojës. Për korçarët është një ndeshje e rëndësishme, pasi gjashtë herë kampionët e vendit kanë humbur vendin e parë në renditje, por ambjenti që po përgatitet mund të dalë jashtë kontrollit, si në takimin e fazës së parë në “Elbasan Arena”. Drejtuesit kanë udhëtuar për të takuar nga afër stafin teknik dhe futbollistët, por flitet se një akses të tillë do ta kenë edhe një përfaqësi tifozësh “ultras”.
Nga kampi tjetër, e njëjta atmosferë, sikur kjo e nesërmja të ishte ndeshja e fundit e jetës. Deklarohen 14 autobuzë të vënë në dispozicion të tifozëve kryeqytetas, bëhen ironi me shprehje fyese në rrjetet sociale dhe mos ndodhtë më, por ka gjasa që të shohim pak futboll, ndeshje të luajtur vetëm pjesërisht dhe sprintet e mjekëve, si të çroditur në fushën e lojës. Dhe në fund “qershia mbi tortë”. Flitet për jo më pak se 400 policë, për të menaxhuar tifozët, ndërkohë që në ndeshjen e Elbasanit dolën vetë jashtë kontrollit, duke u bërë pjesë e kaosit. Njerëzve u intereson thjeshtë një Skënderbeu – Partizani.