Për Bepe Marotën titulli numër 6 nuk është një ëndërr, por një realitet, ndërsa Masimiliano Alegri përgatitet për trofeun e radhës, Superkupën e Italisë. Nga ana tjetër është Milani, një nga rivalët kryesorë të këtij sezoni, që do të luajë edhe ai në atë finale në Doha të Katarit. Presidenti Silvio Berluskoni, që përgatitet t’ia lerë kinezëve “dashurinë” e tij, ngacmohet nga gazetatët ndërsa shkon të takojë presidentin Matarela me rastin e fundit të vitit. Si ndalet Juventusi, ishte pyetja.
“Si ta ndalim? – tha Berluskoni, – le të ndërrojmë të gjithë arbitrat dhe ata që gjykojnë nëpër komisione në ligë:”. Më tej, ai hodhi poshtë ato zëra që thonë se prej vitesh, presidenti nuk ka fuqi financiare për një klub të madh. “Vitin e kaluar shpenzova 150 milionë euro për Milanin”, – ishte shifra e dhënë prej tij. Ndërkaq, Milani pati probleme pasi avioni çarter nuk mbërriti nga Londra, për shkak defekti. Nisja u shty për sot në orën 15:00, pasi ndryshe rrezikohej të arrihej në Doha natën vonë. Asnjë vonesë, ndërkaq, për Juventusin pasi për kampionët gjithçka shkoi sipas planit.