Antonio Konte u ka dhënë disa ditë pushim yjeve të tij, pasi ata e kënaqën plotësisht duke fituar 11 ndeshje radhazi në Premier Ligë. Çelsi kryeson me diferencë jo të vogël dhe nuk ka ndeshje deri në 26 dhjetor (Boxing Day, apo Dita e Kutive të Dhuratave Bosh), dhe trajneri italian ka vendosur të përdorë një “terapi” të ndryshme për londinezët. Futbollistët nuk ia kanë bërë fjalën dysh, por janë shpërndarë në të gjithë botën. Diego Kosta, që nuk do të luajë në Boxing Day për shkak pezullimi, ka shkuar në Brazil, ku është takua me vëllanë e tij që i ngjan aq shumë. Asmir Begoviç është në Paris, portieri Kurtua në SHBA, duke ndjekur ndeshjet e NBA-së. Në Paris shkoi edhe Nataniel Shalobah, që u argëtua në “Diznejlend” me të dashurën e tij, ndërsa mbrojtësi Tim Kejhill shkoi “përtej detit” për të festuar ditëlindjen.