Londinezët e mbyllën sezonin e kaluar në ngjitje, fituan edhe trofe, dhe u mendua që me trajnerin Arteta ata do të luftonin për diçka të madhe. Nuk ndodhi kështu dhe Arsenali për momentin nuk cilësohet pretendent në Premier Ligë, duke qenë prapa më të mirëve, dhe problemi kryesor i ekipit është shënimi i golit. Krejt ndryshe nga e kaluara, kur shqetësim ishte pësimi i golave, tani topi nuk po dërgohet brenda portave kundërshtare. Pjer-Emerik Obamejang është njeriu që ndjen më shumë përgjegjësi pasi ka shënuar vetëm 2 gola në kampionat deri tani, diçka tepër e rrallë për të. “Faji është i imi, – thotë sulmuesi që shënoi 60 herë në dy sezonet e kaluara, – unë shpresoj se ne do ta kalojmë këtë moment, dhe madje do ta habisim gjithë botën. Ne i kemi lojtarët për këtë”. Obamejangu rinovoi kontratën pak muaj më parë, por nuk po e ndihmon ekipin sa duhet. Vetëm pak skuadra në Premier Ligë kanë shënuar më pak gola se Arsenali.
Sfidanti.al