Kampionët e mëdhenj duken sidomos kur janë me shpatulla pas muri. Ashtu ishin Zllatan Ibrahimoviç dhe Pol Pogba, ndërsa Zhoze Murinjo u ndodh edhe më keq, i përjashtuar në tribuna pas dënimit nga ana e Federatës Angleze. Mançester Junajtid shkëlqeu më fort se kurrë, atëherë kur po i bënin gati “arkivolin”, duke fituar fuqishëm 3-1 në Uells ndaj Suonsit.
Ibra realizoi dy herë dhe festoi me “kung funë” e tij të famshme njërën nga rrjetat. Ish-mjeshtri i arteve marciale nuk dëshiron të dorëzohet lehtë, as në moshë të shtyrë për të luajtur futboll. Pogba, lojtari më i shtrenjtë i historisë, reagoi edhe ai atëherë kur po e jepnin si të pamundur për të luajtur pas dëmtimit në Stamboll për Ligën e Europës.
Murinjo do të jetë kënaqur shumë në tribunë, ku gjithsesi vuajti njëlloj si të ishte në stol. Të paktën, ndodhet në Angli, ku askush nuk e ka mendjen të largojë trajnerin pas vetëm 2 muajsh kampionat. Pol Skoulls ka bërë një parashikim: Zhozesë do t’i duhen 2 vjet për të bërë një Junajtid të madh.
B. Kuka