Në Itali përflitet prej kohësh për një Interesim të Interit për teknikun që ndërtoi ciklin e suksesshëm të Juventusit që po vazhdon me Alegrin. Sipas “Tuttosport”, tashmë Zhang ka vendosur të investojë për një emër të madh në pankinë dhe ka zgjedhur pikërisht Konten, të cilit është gati t’i ofrojë një rrogë prej 15 milionë eurosh në sezon. Kjo, edhe pse Havier Zaneti insiston për ish-shokun e tij të skuadrës, Diego Simeonen.
Por sipas “Daily Mail”, për momentin duket se trajneri po i reziston ofertave që i kanë mbërritur nga Italia. E përditshmja britanike insiston se Konten e tërheq shumë sfida që ka nisur në Premier Ligë me emrat më të mëdhenj të trajnimit botëror si Murinjo, Guardiola apo Klop, ndaj vështirë se do të largohet shpejt nga londinezët. Gjithsesi, vendimi do të merret në verë, pasi të mbyllet ky sezon i cili parashikohet të kurorëzohet me titullin kampion për Çelsin.