Tashmë nuk është në Napoli, as në Serinë A, dhe sfida do të jetë shumë e vështirë. Mauricio Sarri, ish-ekonomisti i bankës, është kthyer në simbolin e trajnerit që di të luajë futboll të bukur me ekipin e tij, por që nuk di ende të fitojë, dhe kjo ndoshta sepse nuk ka pasur skuadrën e duhur. Me Empolin dhe Napolin ishte e vështirë.
Pep Guardiola i bënte këtë kompliment kur Mançester Siti ndeshej me Napolin në Champions. “E vlerësova lart Sarrin që kur ishte tek Empoli, – u shpreh ai, – më thanë se në Itali është një trajner i ri, jo në një ekip të madh, që praktikon futboll të bukur. Kjo ishte e vërtetë”. Tashmë, katalanasi do ta ketë përballë napolitanin, në sfidën për titullin e Premier Ligës.
“Unë dua të luaj stilin tim të futbollit, – janë fjalët e Sarrit tek Çelsi, – me dy-tri ndryshime mendoj se skuadra do të luajë ashtu siç dua unë. Dëshiroj që lojtarët të kënaqen me futbollin e tyre, po ashtu që tifozët të kënaqen me skuadrën e tyre. Shpresoj të fitojmë tituj”. Besohet se kjo lirshmëri mund të ndikojë për mirë tek lojtarët, pas sezonit të kaluar nën tension, për shkak të marrëdhënieve të trajnerit Konte me klubin.
Sfidanti.al