Është sulmuar jo pak që nuk është aq “fisnik” sa Hierro. Sergio Ramos duhet të jetojë me këtë famë në futboll, veçse për momentin ai dëshiron të harrojë çdo gjë që ka të bëjë me topin. Botërori vërtet përfundoi keq, por tashmë është koha për t’u shlodhur, dhe nuk ka më mirë sesa kur e bën me familjen, në një plazh larg syve të botës (dhe pse jo larg fotografëve).
Kapiteni i Spanjës dhe i Realit ka marrë një jaht hua dhe prej tij provoi një kërcim drejt e në det. Nuk ishte hedhje e zakonshme, me këmbë apo me kokë, por me kurriz nga uji, dhe me rrotullim në ajër. Jo keq, edhe pse nuk kishte kush dyshim se 32-vjeçari mund t’ia dilte, aq më tepër që e paska zakon. Komenti i tij në Instagram ishte: Një vit më shumë, hedhja e verës!
Sergio ndodhet në plazh me shoqen e tij, Pilar Rubion, dhe me tre fëmijët, ndërsa mund të shlodhet deri në 27 korrik, ditë kur Reali ka planifikuar që të kthehen në ekip lojtarët që morën pjesë në Botëror.
Sfidanti.al