Jo vetëm futboll total, Liverpuli i Klopit di të fitojë “më butë”

Është thënë shpesh se skuadrat më të rrezikshme janë ato që ditë të fitojnë ndeshjet më të vështira, kur nuk janë në maksimum. Liverpuli në fushën e Çelsit ishte pikërisht i tillë, ardhur pas humbjes në Champions me Napolin dhe me presionin e madh pas suksesit 8-0 të Mançester Sitit. Formacioni i Jurgen Klopit nuk e pati aspak të lehtë, sidomos pas pushimit, ndaj një Çelsi të frymëzuar nga Frenk Lampard, dhe që është i vështirë për t’u parandaluar për shkak të talenteve të rinj dhe të paparashikueshëm.

I duhet hequr kapelja bluve të Londrës, që edhe pse me shumë mungesa, e vunë në vështirësi Liverpulin pas pushimit, diçka jo e vogël sepse bëhet fjalë për kampionët e Europës. Flitet për ekipin e vetëm që nis dy sezone radhazi në Premier Ligë me nga 6 fitore njërën pas tjetrës. Një Liverpul që ka 18 pikë të plota, ndërsa përballë tij ishin të rinj si Tomori, Maunt apo Tami Abraham. Një Liverpuli që tregoi forcë, këmbëngulje, mbrojtje të ashpër, kurajë dhe finalizim të shkëlqyer, reagimi i duhur pas Napolit. Me Klopin janë 45 ndeshje në Premier Ligë vetëm me 1 humbje (në fushën e Sitit). Ndoshta është viti i duhur për titullin.

Sfidanti.al