Ky është një lajm i madh për Mançester Junajtidin dhe tifozët e tij. Zllatan Ibrahimoviç e ka kaluar testin fizik të Premier Ligës në mënyrën më të mirë të mundshme. Pavarësisht problemeve që ka pasur, ditët e fundit ai po luan në nivel të lartë edhe në intensitetin e Premier Ligës dhe të kompeticioneve të tjera në ishull. Goli që shënoi ndaj Kristal Palasit i dha fitoren formacionit të Zhoze Murinjos në momentin kur “nuk mbantë më ujë pilafi”.
Në moshën 35-vjeçare ai është sërish vendimtar dhe i aftë të vrapojë e të fitojë duele. Ai ka shënuar 14 gola në 24 ndeshje për Junajtidin, nga të cilët 6 në 6 takimet e fundit. E vërteta është që Ibra nuk jep kontribut aq shumë të madh për skuadrën kur nuk shënon, pasi ai nuk përshkon aq kilometra sa të tjerët, por kjo ka qenë gjithnjë kështu. Murinjo është përpjekur ta menaxhojë mirë dhe t’i japë kohë pushim gjatë ndërprerjeve të sezoni për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Sulmuesi suedez duket se kujdeset shumë për vetveten që të ruajë formën. Ai jo vetëm kursehet dhe vrapojnë të tjerët për të, jo vetëm bën më shumë pushim, por edhe vazhdon me programin e tij që përmban arte marciale, stërvitje në palestër me trajner personal, përjashtim të alkoolit nga dieta, si dhe pak muzikë regi (reggae).
Sfidanti.al