“Bata” firmë e njohur këpucësh, Batha..”firmë” për gola bizhu

Si quhet Batha apo Bata?  Emri i mefushorit të Partizanit ka qënë një lojë më vete, sidomos për ata që duan arsye të forta për të mësuar gërmat një për një.  Por, edhe në këtë ngatërresë  gjëndet një shpjegim, sidomos në këto momente. “Bata” është një firmë e njohur për cilësinë e këpucëve, kurse Batha po bëhet një “firmë” e njohur për cilësinë e golit në Superligë. Me pamjen e futbollistit që ka më shumë forcë, sesa inteligjencë, Idriz Batha ka mështruar jo vetëm kundërshtarin, por edhe të tijtë. Pas petkut të tij muskuloz dhe trupit të bëshëm i cili shkakton  frikë tek kundërshtari, qënka një futbollist tjetër, ku forca mbetet në hije, ngaqë shpërthen gjesti inteligjent. Dy golat e tij të fundit, perla në Shkodër, një parabël e rrallë artizanale, dhe goli në Vlorë, një harkim mbresëlënës me të djathtën, sipas stilistit “Del Piero”, kanë dëshmuar se nuk është vetëm Ekuban pronari i golit, siç dëgjohej rëndom.

Ata që e njohin nga afër Bathën, thonë se “bisha e fjetur” ka prishur letargjinë kur ka dëgjuar fjalët me helm se “kampionati nuk fitohet vetëm me Ekuban”, apo më keq akoma, kur trajneri Starova ka pranuar publikisht se “ jemi të varur nga Ekuban”. Cila përgjigje do të ishte më kumbuese se një gol vitrine në vendlindjen e futbollit në Shkodër, dhe një tjetër në Vlorë, në tokën ku golat kanë shijen e kripës, sidomos kur flitet për një ndeshje ku “demat” shpëtuan nga infarkti. Ndaj, ka arsye të thuhet se kur Batha shënon një gol “bizhu”, nuk matet me pikë, por me ..karatë.

G.Sinemati