Guardiola: I lumtur që gabova me David Silvën!

Ishte viti 2010, koha kur Pep Guardiola ndodhej në kulmin e lavdisë tek Barcelona, dhe kur një futbollist spanjoll vendosi të provonte fatin në Angli. David Silva la Valencian, dhe u bashkua me Mançester Sitin e trajnerit Roberto Mançini, në moshën 24-vjeçare për të nisur një karrierë që vazhdon edhe sot, dhe në të cilën Silva është në prag të ndeshjes numër 400 me fanelën e “Qytetarëve”.

Guardiola e pati një mendim për Silvën, ndërsa drejtonte ekipin e qiellorëve të udhëhequr nga treshja Mesi-Ksavi-Iniesta. “Ai ishte një lojtar me trup të imët, – kujton sot trajneri i tij, – imazhi im nga jashtë për futbollin anglez ishte i tillë që Silva do të vuante për t’ia dalë mbanë. Për fat, unë isha plotësisht gabim. Të arrish në 400 ndeshje do të thotë shumë vite karrierë, shumë momente të mëdha, si edhe ndonjë moment i keq. Ai ia ka dalë dhe kjo është e pabesueshme”.

David Silva mund ta luajë ndeshjen numër 400 të dielën ndaj Bornmuthit. Ai ka fituar 13 trofe, më shumë se çdo spanjoll tjetër në Angli, dhe këtë sezon ka edhe shiritin e kapitenit.

Sfidanti.al